Facebook sjell një motor të ri kërkues brenda rrjetit social

Facebook ka përmirësuar në mënyrë të ndjeshme shërbimin e kërkimit duke u lejuar përdoruesve që të kërkojnë për informacion dhe foto të postuara nga miqtë, por edhe për postime publike nga kushdo në Facebook. Shërbimi i ri quhet “Graph Search” dhe do lejojë që përdoruesit të kërkojnë për foto, njerëz dhe lidhje dhe të gjejnë vende që u kanë rekomanduar miqtë. Megjithatë ekspertët thonë se shërbimi i ri duhet të trajtojë me kujdes privacinë e përdoruesve. Kurse Facebook përgjigjet duke thënë se shërbimi në fakt nuk cenon privacinë. Boss-i Facebook, Mark Zuckerberg tha se nuk është një kërkim për faqe, por në partneritet me motorin kërkues Bing të Microsoft, ata po sfidojnë gjigandin Google. Shërbimi i ri për shembull do u mundësojë që të gjeni miq që kanë të njëjtat interesa. Facebook në këtë mënyrë do të përmirësojë ndjeshëm edhe shërbimin e reklamave pasi do ketë më shumë grupe të specifikuara interesi. Ekspertët e kompanisë thonë se ky shërbim e bën kërkimin më të lehtë, por ti mund të shohësh vetëm ato gjëra që i sheh kudo në Facebook.